Paqja në Ballkan në rrezik për shkak të ndikimit rus?

Russia's President Vladimir Putin chairs a meeting with members of the government, via a video conference at the Kremlin in Moscow on June 21, 2023. (Photo by Gavriil Grigorov / Sputnik / AFP) (Photo by GAVRIIL GRIGOROV/Sputnik/AFP via Getty Images)
Diskutimi lidhur me atë se sa mund të jetë i brishtë stabiliteti i këtij rajoni u nis javën e kaluar nga presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e më pas pretendimet e tij u mbështetën disa ditë më vonë nga sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, gjatë vizitës së tij të parë në Bosnje e Hercegovinë më 20 nëntor.
Nga Sarajeva, si ndalesa e parë e turneut të tij treditor në Ballkan, dhe kryeqyteti i vendit që ai vetë e klasifikoi në nëntorin e vitit 2022, së bashku me Moldavinë dhe Gjeorgjinë, si ndër shtetet që rrezikohen për shkak të veprimeve nga Moska, Stoltenberg shprehu edhe një herë shqetësim për ndikimin rus.
Zelensky ishte shumë më i drejtpërdrejtë, duke deklaruar se Rusia “do të sigurohet që një vend ballkanik të hyjë në luftë me një tjetër”.
Ai nuk saktësoi se për cilin nga vendet e Ballkanit Perëndimor e kishte fjalën, por deklarata e tij nxiti reagime në Bruksel dhe Uashington.
Liderët në Ballkanin Perëndimor nuk e komentuan këtë deklaratë të presidentit ukrainas, ndërsa zyrtarët e Bashkimit Evropian (BE) konfirmuan se ndajnë shqetësimin e Zelenskyt për ndikimin malinj të Rusisë.
“Ne kemi informacione dhe i kemi parë këto aktivitete ruse për disa kohë, kështu që kemi një pamje të plotë dhe jemi të vetëdijshëm se çfarë po përpiqet të bëjë Rusia”, tha zëdhënësi i BE-së Peter Stano në një konferencë për media.
Po ashtu, Departamenti amerikan i Shtetit deklaroi se Uashingtoni po punon me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe partnerët evropianë për të përmirësuar sundimin e ligjit dhe reformat, “që do të pakësonin mundësinë e ndikimit malinj rus”.
Jan Cingel, drejtor ekzekutiv i organizatës joqeveritare Analiza Strategjike në Bratislavë, i tha Radios Evropa e Lirë se nuk ka gjasa për një konflikt të armatosur mes vendeve në Ballkanin Perëndimor.
“Ajo që është ndoshta kërcënimi më i madh i menjëhershëm, apo ajo që mund të shpërthejë në rajon, janë aktivitetet e ndryshme brenda një lloji të një lufte hibride”, tha ai.
Siç shpjegoi ai, kjo nënkupton operacione të grupeve të vogla, të cilat kanë një agjendë të caktuar politike, “siç e pamë në rastin e Banjskës në muajin shtator”.
Më 24 shtator, një grup i armatosur i serbëve sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku. Më pas tre sulmues u vranë gjatë shkëmbimit të zjarrit.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, deklaroi më 20 nëntor se ndikimi rus në Ballkanin Perëndimor mund të shikohet nga tri aspekte: propaganda, armët dhe mbështetja politike që Rusia i jep Serbisë për “të destabilizuar rajonin”.
“Këto bëhen këto të tria bashkë, është tepër e qartë që është në interes të Rusisë që të hapë edhe një front kundër Perëndimit. Dhe natyrisht këtë front dëshiron ta hapë në pjesë të Evropës të cilat ende nuk janë pjesë e NATO-s. Prandaj, kjo e bën edhe më imperative anëtarësimin tonë në NATO”, tha Osmani pas takimit me Stoltenbergun në Prishtinë.
Autoritetet e Kosovës vazhdimisht paralajmërojnë se Rusia përmes Serbisë po tenton të destabilizojë Kosovën, por edhe shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor.