Duka: Dua të hapim ‘Europianin’/ Ja kur i mëson Shqipëria kundërshtarët

Shqipëria është kualifikuar për në Europianin që do të zhvillohet vitin e ardhshëm në Gjermani.
UEFA Euro 2024 do të luhet nga 14 qershori deri më 14 korrik.
Shqipëria do t’i mësojë kundërshtarët që do të ketë në Europian të shtunën e 2 dhjetorit. Në Hamburg do të hidhet shorti që do të përcaktojë grupet e Euro 2024.
Gjermania si vend pritës do të jetë në Grupin A dhe do të marrë pozicionin A1. Ajo do të luajë ndeshjen hapëse në stadiumin e Mynihut, “Allianz Arena” të premten e 14 qershorit.
Se çfarë do t’i rezervojë fati Shqipërisë këtë mund ta zbulojmë vetëm pas 2 javësh.
Pas kualifikimit, sapo zbarkoi në tokën shqiptare, presidenti i FSHF, Armand Duka nuk nguroi të shpreh dëshira, teksa kërkon Gjermaninë në short për të hapur “Euro2024”:
“Në Europian, janë të gjithë skuadra të nivelit të lartë, nga ekipi i parë tek i 24-ti, të gjitha janë shumë të forta. Unë uroj shumë, sepse do të ishte historike për ne, që të hapim Europianin kundër Gjermanisë”.